

Ja se si i shkruan Lasgush Poradecit të kushëririt Thomas Gusho, letër e botuar në librin “Shkolla shqipe e Pogradecit”, në vitin 1937:
“Më 1933 botova librën t’ime Vallja e Yjeve, që është shkrojtur në themel të shpirtit shqiptar, veçanërisht të vashës shqiptare, ashtu siç duket ky shpirt nga vjershat t’ona popullore me gjuhën dhe fjalët e tyre. Mirret vesh, se vjershat e mija i kam kaluar më parë nëpër shpirtin t’im. (...) Në Vallen e Yjeve do gjesh dhe vjershën e titulluar “Naim Frashërit”, për të cilën ti pate qarë më 1920 në shtëpi t’on në Poradec (në odën e Pritjes) kur më the të bëhem drejtor i gazetës “Djelli” të Amerikës dhe më kërkove një bashkëpunim për “Djellin” dyke më pyetur a kam shkruar gjësend: unë t’a këndova atë vjershë dhe ty të kulluan disa pika lot prej syve pas këndimit. A e mban ment, o i dhembshur Thomo?”
NAIMIT
Ku psherëtin dëshir’ e djegur,
Në shesh të kuq të Qerbelasë
Mes trimërish stërgjyshërishte
Të shoh ndaj po m’i bje xhurasë[1].
E mê të lum, mê të përmallshmë
Të sjell në dritën e mejtimit
Ndaj fërfëllon si yll me flakë
Prej shkretëtirës së harimit.
Qëndroj në tmerr zili’ e botës
Se më s’u lodhe dyke ndritur,
Se më s’të treti prush’ i vojtjes
Në krahërorin e zhuritur.
Po ti me vrap të piraústit[2],
Që fluturon në zjarr e flakë,
Therorësin’ e vetëvetes
E pate dhembjen më të pakë…
O! sikur këng’ e zemrës s’ate,
Që ligjëroj aq më të kotë,
Që veç me fjalë dhemshurije
U pat dëgjuar përmi botë.
Në gji të çdo mëmëdhetari
Të mund t’a përtëritte mallë
Dhe një të tërë varg dëshirash
Q’i thurri mëndja jote-e rrallë,-
Me ç’zë të pastër lavdurimi
Do kish bekuar varfëritë!
Vaj’ e një çasi-e këngës s’ate
Përjetësisht do dil në dritë!
Po t’u pat thënë short’e verbër
Të përvëlohesh nër padije:
Me mijë reze shkrepëtimi
Mezi të ndritish po një fije…
Dh’ aher’ i dehur prej durimit
Në mall të math të këngës s’ate,
Kaq zilitar këpute zemrën
Ç’mê të paçmuarshmë ti pate.
Dh’ u ngrite për në të vërtetën
Me fluturim të artit mjeshtër:
U drodh altari jonë-i lashtë
Sapo t’a ndjeu të shentën eshtër…
Se ngashërim’ e vjershës s’ate
Ish malli i fellë-e pà të ngjarë,
Posi një krua pastërsije
Këndimi yt nër ne pat rarë;
U pat tërhedhur shpirt’ i kombit
N’ atë vajtim aq të lënduar
Q’ e thurri gjuha jote-e-zjartë,
Dhe balli yt i frymëzuar;
Se bukuritë e-vetes s’onë
Mendimi yt desh të na falë,
O! Fjal’ e pikave qiriri,
E pika lotëvet, o Fjalë!
Q’ ahere dyke shpënë sytë
Nga Toskëri’ e Gegërija,
Shpesh e mê shpesh patm’ ëndëruar
Si ndrin me famë Shqipërija.
Mes ligësish armiqërishte
Stolismë lulen e vullnetit,
Sbuluam gur margaritari
Prej fundit thëthimtar të detit.
E m’i çkëlqyer sesa djelli,
M’ i lum se kohët që më s’janë
Filloj për ne ndryshim’ i motit
Më një të pritme të pa anë:
Ti! Fjalëtor i mallëngjyer!
Ti! këng’ e ritur ndaj selvisë!
Ti o rapsod i lasht’ i kombit,
Ti pate pjesë urgjin’[1] e zisë!
A! po n’ u trete prej mendimesh
Me tëmbla t’ ulura nër duar:
Në ç’qjell të larg pat gjetur prehje
Kjo zemra jote-e përvëluar?
Ngà fluturoj bilbil-finoshi
Q’ e fryri era posi fletë?
Kú vanë pendët e pëllumbit
Q’ e shtiu në dhet mërgim’ i shkretë?
…………………………………..
…………………………………..
…………………………………..
…………………………………..
Sikur të shoh, i tmershmë Frashër,
Ndaj po mban zi përgjithëmonë,
Ti: mê besniku trashëgonjës
I dashuris’ së vëndit t’onë!
[1] Këto katër vargje lidhen e përcaktojnë veprat kryesore të Naimit: vargu i parë - “Dëshirat e vërteta të shqiptarëve”, vargu i dytë - “Qerbelaja”, vargu i tretë - “Histori e Skënderbeut, vargu i katërt - “Bagëti e bujqësi”.
[2] Piraúst - flutur e vogël nate, që e tërheq aq shumë drita, sa futet qorrazi në flakë dhe digjet.
[3] Urgji - orgji.