

Nga Artur Shkurti
Nëse shkolla është e prishur, fëmijëve u është shkelur “E drejta për arsim” përcaktuar nga neni 18 i ligjit 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” që thotë:
Neni 18 - E drejta për arsimim
1. Citojmë nenin 18:
"Fëmija ka të drejtën e aksesit dhe të frekuentimit të arsimimit falas e cilësor, në bazë të mundësive të barabarta dhe pa diskriminim, në përputhje me moshën dhe aftësinë e tij për të kuptuar. Kjo e drejtë i garantohet edhe fëmijës që dëshiron të vazhdojë të arsimohet pas përfundimit të arsimit të detyrueshëm."
Koment: a) Është e qartë që fjala “cilësor” nuk ka vend për arsimin në një shkollë të shkatërruar. b) Është e qartë se fëmijët e Zhepovës po diskriminohen sepse po u thuhet që meqë jeni “pak” dhe meqë jeni në “fshat” ju nuk keni të drejtë të barabartë me ata që janë “shumë” dhe janë në “qytet”.
2. Citojmë nenin 18:
"Prindi ose kujdestari merr masa të përshtatshme që fëmija të ndjekë arsimin e detyrueshëm ose nivele të tjera të arsimimit, sipas dëshirës së fëmijës, si dhe të garantojë frekuentimin e rregullt të tij dhe pa pengesa."
Koment: Nëse shkolla është e shkatërruar, shumë nga orët mësimore do të braktisen, sepse mungojnë kushtet për t’i realizuar si duhet mësimet për shumë lëndë. Prindërit nuk mundet ta garantojnë ndjekjen e rregullt të shkollës, kur Ministria dhe Pushteti Lokal nuk garantojnë sigurinë e jetës, sigurinë e mësimit në mjedise, pastërtinë, komoditetin e shkollës.
3. Citojmë nenin 18:
"Ministria përgjegjëse për arsimin parauniversitar, si autoritet publik përgjegjës, si dhe njësitë arsimore vendore marrin masa konkrete, me qëllim që: a) të mundësojnë aksesin e fëmijës në arsimin parashkollor, si dhe arsimin e detyrueshëm falas për të gjithë fëmijët, edhe në rastet kur fëmijët mund të kenë kaluar moshën për arsimin e detyrueshëm, por kanë qenë në pamundësi për ta ndjekur atë;"
Koment: Nëse fëmijët detyrohen të lënë fshatin dhe të shpenzojnë për rrugën në Sukë, ky nuk është më arsim falas. Falas arsimi është në Zhepovë, jo në Sukë.
Citojmë nenin 18:
"të organizojnë plane mësimore të veçanta për fëmijën që nuk arrin nivelet e duhura që synon programi mësimor, me qëllim parandalimin e largimit nga shkolla para kohe të fëmijës;"
Koment: Një shkollë e shkatërruar stimulon largimin nga shkolla. Pasi largohen nxënësit nga shkolla, familja largohet nga fshati dhe pastaj ministria thotë “shkolla nuk ka nxënës, ndaj nuk mund të investojmë”.
ç) Citojmë nenin 18:
"të organizojnë plane mësimore të veçanta edukimi për fëmijët që braktisin shkollën ose që nuk e kanë frekuentuar asnjëherë apo për fëmijët që kthehen nga qëndrimi jashtë vendit, ose pranë institucioneve joshkollore, me qëllim integrimin e tyre në sistemin kombëtar të edukimit;"
Koment: Nëse shkolla do të ishte në rregull, ajo do të stimulonte edhe kthimet, por ku të kthehen emigrantët, kur gjithçka është prishur?!
d) Citojmë nenin 18:
"të mbikëqyrin të drejtën e fëmijës për t’u çlodhur, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në aktivitete kulturore e artistike;"
Koment: Vendi kryesor ku sigurohet çlodhja dhe veprimtaritë kulturore dhe artistike është shkolla. Nëse shkolla është e prishur, atëherë fëmijët nuk gëzojnë as këtë të drejtë.
dh) Citojmë nenin 18:
"të marrin masa konkrete për ofrimin e shërbimeve sociale brenda mjediseve të shkollës, si ushqim, transport e të tjera, me qëllim parandalimin e braktisjes së shkollës për arsye ekonomike;"
Koment: Fëmijëve të Zhepovës këto u duken si luks sepse ata nuk kanë gjënë më kryesore “godinën”.
e) Citojmë nenin 18:
"të krijojnë kushtet e nevojshme, me qëllim rritjen e cilësisë së arsimimit, nëpërmjet kurrikulave, mjeteve mësimore, infrastrukturës së përshtatshme, si dhe të vlerësimit periodik të personelit mësimor;"
Koment: Ku është “infrastruktura” në një shkollë të shkatërruar? Ku janë mjetet mësimore?
ë) Citojmë nenin 18:
"të sigurojnë burime të mjaftueshme dhe të përshtatshme njerëzore, materiale e financiare për të siguruar arsimimin cilësor të fëmijës;"
Koment: As kjo pikë nuk realizohet: nuk ka burime të mjaftueshme dhe të përshtatshme njerëzore, materiale dhe financiare për të siguruar një arsim cilësor të fëmijës.
f) Citojmë nenin 18:
të ndërmarrin veprime konkrete për të garantuar të drejtën e arsimimit të fëmijës që i përket grupeve ose rajoneve me mangësi të konsiderueshme edukimi ose që është në situata të vështira sociale, ekonomike ose gjendje fizike apo mendore të veçantë, ose që lidhen me aspekte të gjinisë, besimit fetar ose praktikave kulturore, ose që janë pjesë e një grupi kulturor etnik ose vijnë nga një situatë migratore;
Koment: Fëmijët e Zhepovës hyjnë në këtë grup, sepse tashmë difektet e shumë viteve kanë prodhuar jo vetëm një dobësi tek fëmijët, por më thellë se aq ata kanë prindër që janë rritur të paarsimuar si duhet sepse po bëhen vite të tëra ndikimi afatgjatë të një shkolle të dobët. Në këtë situatë, ata janë mund të konceptohen si një “grup dhe rajon me mangësi të konsiderueshem edukimi ose që është situatë të vështirë sociale, ekonomike”.
g) Citojmë nenin 18:
"të ngrenë mekanizma efikasë për parandalimin, trajtimin brenda shkollës dhe raportimin tek autoritetet përgjegjëse të situatave të dhunës, duke përfshirë edhe ato ndërmjet vetë fëmijës brenda shkollës (bulizmi);"
Koment: Një shkollë e shkatërruar do të krijojë kushtet që fëmijët të kenë një sjellje “dosido” dhe ku futet edhe bullizmi sepse shkolla nuk po ndikon tek ta si duhet në këtë drejtim.
gj) Citojmë nenin 18:
të parashikojnë dhe zbatojnë sanksione të përshtatshme për personelin arsimor, në rastet kur ai lejon, nxit, toleron ose nuk raporton veprime të dhunshme ose ngacmimi të fëmijës në institucionet e edukimit, sipas këtij ligji.
Koment: Një shkollë e shkatërruar është “dhunë” e organizuar shtetërore mbi fëmijën sepse ajo ekspozon fëmijën para faktit “shoqëria për ty nuk ka kujdes dhe nuk do të ketë”.
h) Citojmë nenin 18:
të marrin masa për identifikimin e fëmijës në rrezik për të braktisur shkollën ose të atij që e ka braktisur atë, duke koordinuar veprimet me autoritetet e njësisë së vetëqeverisjes vendore, me qëllim mbajtjen ose kthimin e tij në shkollë.
Koment: Fëmijët e Zhepovës janë të gjithë “në rrezik për të braktisur shkollën dhe e kanë braktisur”.
4. Citojmë nenin 18:
"Në rastet kur identifikohen fëmijë që nuk frekuentojnë arsimin e detyrueshëm, për shkak të mosregjistrimit në zyrat e gjendjes civile ose arsye të tjera, punonjësi i njësisë së vlerësimit të nevojave dhe referimit, pranë pushtetit vendor merr masa të menjëhershme për regjistrimin të fëmijës në shkollë, sipas legjislacionit në fuqi."
Koment: Si mundet një zyrtar t’i thotë prindërit të fëmijës “Dërgoje fëmijën në shkollën e Zhepovës”, kur shkolla është e shkatërruar?
5. Citojmë nenin 18:
"Gjatë procesit mësimor e edukativ fëmija trajtohet me dinjitet nga mësuesit dhe personeli, si dhe informohet për të drejtat e tij dhe mjetet e ushtrimit të tyre, sipas këtij ligji. Ndëshkimi trupor i fëmijës si dhe çdo formë tjetër e dhunës gjatë procesit të edukimit janë të ndaluara."
Koment: Fjala është për mësuesin, por “dinjiteti” duhet të jetë në radhë të parë në kushtet e godinës.
6. Citojmë nenin 18:
"Fëmija ka të drejtë të ankohet ndaj vlerësimeve të dijeve të tij, sipas kritereve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për arsimin parauniversitar."
Koment: Nëse për të mbuluar të metat e punës mësuesit japin nota më të larta, si mundet të ankohet fëmija ose prindi në këtë rast. Nëse vetë shteti fsheh mungesën e investimint në shkollë duke dhënë nota fiktive, si mundet që të realizohet një e drejtë e tillë, që është në sensin e kundërt “Pse më jep nota fiktive?” dhe jo “Pse më jep nota të ulta”.