Kërkesë për rifillimin e thirrjes së ezanit në xhaminë e Et’hem Beut

0 have signed. Let’s get to 1,500!


Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë u mbyll për besimtarët në një mënyrë krejt të papritur për t’iu nënshtruar një restaurimi të gjatë që pritet të zgjasë të paktën dy vite. Nuk është ende e qartë se përse kjo xhami – simbol i pranisë së muslimanëve në Shqipëri dhe emblemë e identitetit të qytetit – u nxor plotësisht nga funksioni dhe asnjëra nga alternativat e mundshme të restaurimit të pjesshëm apo funksionimit simbolik të saj nuk u morën në konsideratë.

(1)    Restaurimi i pjesshëm në disa etapa do t’u jepte mundësinë besimtarëve të vijonin faljen e namazeve në pjesët që nuk do të ishin në fazë restaurimi;

(2)    Thirrja e rregullt e ezanit, pavarësisht nga fakti nëse faljet do të kryheshin ose jo në mënyrë të përbashkët, do të mbante gjallë rolin simbolik të xhamisë;

(3)    Ndërkohë, falja e namazit të xhumasë në sheshin përpara ose anash xhamisë do të ishte një garanci shtesë se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) nuk ishte duke hequr dorë përfundimisht nga shfrytëzimi i xhamisë për kryerjen e namazit.

Përkundrazi, xhamia u mbyll plotësisht për besimtarët, u ndërpre thirrja e ezanit dhe nuk u la hapësirë qoftë edhe për stafin e xhamisë që të mbanin në funksion simbolik xhaminë me kryerjen e namazit brenda saj. Për më tepër, xhamia ka marrë pamjen e një objekti të braktisur dhe të lënë në harresë, aq sa edhe varri i themeluesit të xhamisë është cenuar nga pemët që janë lejuar t’i bien përsipër, sikur të mos bëhej fjalë për një monument me rëndësi të dorës së parë për muslimanët dhe vetë trashëgiminë historike të qytetit. Të shqetësuar për situatën, një grup besimtarësh kanë biseduar pas mbylljes së xhamisë me zv.Kryetarin e KMSH-së Bujar Spahiu mbi mundësinë e rikthimit të xhamisë në funksionim të pjesshëm, për rifillimin e thirrjes së ezanit dhe faljen e namazit të xhumasë në sheshin përpara saj, por asnjë hap konkret nuk duket të jetë marrë nga ana e KMSH-së në këtë drejtim.

Në vijim të zërave gjithmonë e më të shpeshtë për idenë e shndërrimit të xhamisë në muze për vizitorët, duke i mohuar asaj funksionin normal dhe parësor që ka pasur dhe duhet të ketë, atë të vend-faljes, për të mbyllur jehonën e këtyre zërave dhe shqetësimit legjitim që ato shkaktojnë, si dhe për të paraprirë çdo realitet të tashëm ose të ardhshëm, për monumente që janë pronë ligjore dhe shpirtërore e fesë dhe besimtarëve që praktikojnë fenë, parashtrojmë si më poshtë vijon:

1)      Të rifillojë thirrja e rregullt e ezanit për të gjitha kohët e namazeve në xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, pasi kjo gjë nuk e pengon, dhe nuk pengohet aspak nga procesi i restaurimit;

2)      Të organizohet falja e namazit të xhumasë në sheshin përballë ose anash xhamisë.

Thirrja e ezanit është një simbolikë shumë e fortë e pranisë së muslimanëve dhe Islamit në sferën publike. Mungesa e ezanit në sheshin qëndror të kryeqytetit është treguesi i radhës i procesit të cenimit të shfaqjes së lirshme të simboleve dhe ritualeve të fesë Islame në jetën publike shqiptare. Kthimi i xhamisë së Et’hem Beut në muze do të ishte një hap tjetër në këtë proces, i cili do të ishte krejt i mundshëm pas mungesës dy-vjeçare të thirrjes së ezanit nga kjo xhami dhe moskryerjes së asnjë rituali pranë saj. Drejtuesit aktualë të KMSH-së kanë përgjegjësinë historike për të mos e lejuar këtë gjë të ndodhë, duke i siguruar besimtarët nëpërmjet rifillimit të thirrjes së ezanit dhe organizmit të faljes së xhumasë në sheshin përballë osa anash xhamisë, se xhamia e Et’hem Beut do të kthehet në funksionim të plotë për kryerjen e namazeve pas përfundimit të restaurimit.

Në vijim të kësaj kërkese, drejtuesit e KMSH-së duhet të prononcohen zyrtarisht se funksioni i xhamisë së Et’hem Beut – funksion i cili nuk është ndërprerë vetëm se nën regjimin diktatorial – do të mbetet përherë ai për të cilin e ka ndërtuar themeluesi i saj fisnik: faltore për kryerjen e namazeve, vend-adhurimi dhe vend-prehjeje për besimtarët, pa neglizhuar aspak vlerat e saj muzeale dhe kulturore, të cilat xhamia e Et’hem Beut i ka përmbushur gjithmonë me të qenurit e saj e hapur për të gjithë, besimtarë ose vizitorë, vendas dhe të huaj, si një simbol krenar i vlerave civilizuese të muslimanëve shqiptarë.



Today: Angazhimi Musliman për të Drejtën (AMD) is counting on you

Angazhimi Musliman për të Drejtën (AMD) needs your help with “Z. Skënder Bruçaj, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë: Kërkesë për rifillimin e thirrjes së ezanit në xhaminë e Et’hem Beut”. Join Angazhimi Musliman për të Drejtën (AMD) and 1,257 supporters today.