Fëmijët tanë nuk duhet të humbin gjuhën shqipe-Qendër Shqiptare në Gjenevë

34

Essayons d'atteindre les 50 signatures !
Les pétitions comptant plus de 1 000 signataires ont 5 fois plus de chances d'aboutir !

Le problème

Një iniciativë qytetare për edukimin, integrimin dhe ruajtjen e identitetit kulturor të komunitetit shqiptar në Zvicër

Edhe pse kjo iniciativë është e përqendruar në Gjenevë, ajo i përgjigjet një nevoje reale dhe të përbashkët të një pjese të madhe të mërgatës shqiptare në Zvicër. Gjeneva mund të bëhet një shembull i suksesshëm i integrimit dhe valorizimit kulturor për gjithë Zvicrën. 

Edhe sa kohë do të presim?

Në Zvicër, ka ardhur momenti për të ndërmarrë një hap të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm: krijimin e një qendre edukative dhe kulturore shqiptare në Gjenevë. Kjo iniciative nuk është vetëm një dëshirë por është një nevojë reale e popullatës shqiptare në Gjenevë, e shumë familjeve që kërkojnë një hapësirë edukative ku fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe, të njohin kulturën dhe të rriten me identitet, duke u integruar plotësisht e jo duke u asimiluar në shoqërinë zvicerane.

Sipas të dhënave më të fundit të statistikave federale (2022–2024), mbi 11’000 banorë të kantonit të Gjenevës kanë shqipen si gjuhë kryesore, ndërsa komuniteti shqiptar në realitet është edhe më i madh për shkak të brezave të integruar dhe të natyralizuar. 

Shqiptarët në Gjenevë jemi një komunitet i fortë, punëtor, me biznese të suksesshme dhe me potencial të jashtëzakonshëm.

Dhe megjithatë…

Ende mungon një hapësirë e përbashkët, e strukturuar dhe e përhershme, në shërbim të edukimit dhe kulturës sonë.

Ne nuk kemi një qendër tonën shqiptare.

Nuk kemi një hapësirë për fëmijët tanë.

E VËRTETA JONË 

Ne kemi arritur suksese individuale të rëndësishme. Por sfida jonë e radhës është të ndërtojmë diçka të përbashkët.

Organizojmë aktivitete të shumta çdo vit por ende nuk kemi një qendër të qëndrueshme.

Flasim për identitet.

Por çfarë po bëjmë realisht për ta ruajtur identitetin tonë?

Ruajtja e identitetit kombëtar kërkon struktura konkrete.

Sot, më pak se 200 fëmijë ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe në gjithë kantonin e Gjenevës dhe ky është një realitet që kërkon reflektim dhe veprim.

KËRKESA JONË ËSHTË KONKRETE

Kërkojmë krijimin e një Qendre Kulturore dhe Edukative Shqiptare në Gjenevë,

një hapësirë që do të shërbejë për:

mësimin e gjuhës shqipe, në përputhje me nevojat e fëmijëve
edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj
aktivitete kulturore dhe artistike
forcimin e lidhjeve brenda komunitetit
ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore
bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës
ndërtimin e një ure të qëndrueshme me shoqërinë zviceranë

MESAZHI YNË

Ky projekt nuk synon të zëvendësojë asgjë ekzistuese, por të plotësojë një boshllëk të rëndësishëm: një vend ku fëmijët dhe të rinjtë mund të mësojnë gjuhën shqipe, të njohin kulturën e tyre dhe të forcojnë identitetin, në harmoni të plotë me vlerat e tyre indivuale e komëtare dhe me vlerat e integrimit në shoqërinë zvicerane.

Kjo nismë përfaqëson një investim afatgjatë në edukim, kulturë dhe trashëgimi kombëtare, në kohezion social dhe në të ardhmen e brezave të rinj.

Ju që keni ndërtuar biznese të suksesshme në këtë vend, mbështetja dhe kontributi juaj në këtë nismë do të përbënin një vlerë të veçantë për komunitetin.

Sepse investimi në edukim, kulturë dhe identitet nuk është vetëm një akt solidariteti por është një trashëgimi që mbetet për brezat që vijnë.

Një komunitet i fortë nuk matet vetëm me pasurinë materiale apo individuale por me atë që lë pas për brezat.

Nëse jo tani, kur?
Nëse jo nga vet ne, nga kush? 

Sot kemi mundësinë të tregojmë se dimë të bashkohemi rreth vlerave me rëndësi afatgjatë.

Çdo nënshkrim është një hap drejt një hapësire që i shërben mërgatës shqiptare, fëmijëve tanë dhe së ardhmes sonë të përbashkët.

Le ta bëjmë këtë hap së bashku! 

THIRRJA QË NA BASHKON

Mos t’presim se dikush tjetër do ta bëjë për ne. Mos të mjaftohemi vetëm me fjalë. Sepse një ditë, fëmijët tanë do të na pyesin:

Çfarë bëtë për ne?


Ne kërkojmë edhe mbështetjen e autoriteteve lokale dhe të gjithë atyre që e vlerësojnë diversitetin dhe bashkëjetesën e harmonizuar të kulturave në Zvicër, që të na ndihmojnë në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për brezat e ardhshëm.

Ju ftojmë të nënshkruani këtë peticion dhe të mbështesni këtë kauzë.

Kjo nuk është thjesht një kërkesë.

Është një thirrje ndërgjegjeje kolektive kombëtare.

 

E iniciuar nga Mirishahe Limani Hiler, në emër të Shoqatës Kulturore “Dora d’Istria”, kjo nismë i përket çdo familjeje shqiptare në Zvicër që dëshiron që fëmijët e saj të mos humbin gjuhën, rrënjët dhe identitetin.

Sepse e ardhmja e fëmijëve tanë nuk pret.

Sot është momenti të veprojmë.

Bashkohu. Nënshkruaj. Ndrysho të nesërmen. 

 

Les décisionnaires

Mirishahe

Message aux signataires