Kërko dorëheqjen e Agim Ademit nga FFK dhe ndalo politizimin e Përfaqësueses së Kosovës

0 have signed. Let’s get to 5,000!


PETICION

për dorëheqjen/shkarkimin e z. Agim Ademi për shkak të politizimit të FFK-së dhe ekipit përfaqësues

Së fundmi z. Agim Ademi, në cilësinë e Kryetarit të FFK-së, është përfshirë aktivisht dhe ka vënë në dispozicion ekipin përfaqësues të Kosovës në përkrahje të një kandidati për pozitë politike. Me këtë ka rrezikuar suksesin sportiv, ka prishur neutralitetin politik të FFK-së, ka cënuar autoritetin e FFK-së dhe ekipit përfaqësues të Kosovës. Për këto arsye, ne të poshtëshënuarit kërkojmë dorëheqjen ose shkarkimin e z. Agim Ademi nga pozita e Kryetarit të FFK-së dhe mospërsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen, nga askush.

Forca Kosovë!

Sqarim:

Futbolli thuhet që është “çështja sekondare më e rëndësishme në botë”. Në Kosovë, për shkak të rrethanave historike, ka qenë shtyllë e rezistencës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi, ndërsa pas pavarësisë është shndërruar në mjetin më të rëndësishëm të pranimit të gjirin e kombeve të botës dhe promovimit të shtetësisë së Kosovës.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), sipas rolit që i takon, ka qenë në krye të gjithë kësaj përpjekjeje duke organizuar garat paralele në vitet e 90’ta, duke synuar ndërtimin e bazave të futbollit profesionist në vitet e pasluftës dhe duke e udhëhequr procesin e ndërkombëtarizimit të futbollit deri në pranimin në UEFA dhe FIFA në vitin 2016. Për habinë e shumë të tjerëve, por jo edhe të tifozëve që e kanë përcjellë këtë zhvillim, brenda një kohe shumë të shkurtë ekipi përfaqësues i Kosovës arriti nivele të larta të cilësisë së futbollit të luajtur dhe u bë konkurrues me vende me traditë të gjatë në futbollin ndërkombëtar.

Por, mbi të gjitha, arriti të ndërtojë një atmosferë të shkëlqyer brenda një grupi lojtarësh të grumbulluar nga e gjithë bota. Kjo atmosferë pati reflektim të jashtëzakonshëm jashtë, jo vetëm te tifozët e futbollit por të secili qytetar i Kosovës. Ndeshjet e fundit kundër Republikës Çeke dhe Anglisë ishin kulminacion i kësaj, me lojën në fushë por edhe më shumë me atmosferën e krijuar jashtë saj. Ky ekip tashmë është bërë simbol i unitetit në Kosovë dhe shenjë e potencialit të një populli të tërë, brenda dhe jashtë Kosovës.

Të gjitha këto janë të njohura për secilin qytetar të Kosovës, e së fundmi edhe për shumë të tjerë jashtë Kosovës. Por, janë përmendur këtu, për të rikujtuar barrën e përgjegjësisë së të gjithë atyre që udhëheqin me strukturat e FFK-së dhe këtë ekip. Përgjegjësi kjo tashmë jo vetëm formale ndaj anëtarëve të FFK-së dhe sportive ndaj tifozëve të futbollit, por morale dhe kombëtare ndaj një vendi të tërë.

Kryetari historik i FFK-së z. Fadil Vokrri, me gjasë e kishte kuptuar këtë përgjegjësi shumë me herët se të tjerët. Angazhimi i tij ishte kryekëput për interesa të FFK-së dhe futbollit kosovar, pa asnjë shkarje përgjatë 10 viteve të udhëheqjes së tij. Siç e thotë djali i tij Gramozi në një raport të gjatë të BBC-së: "Babi asnjëherë gjatë jetës së tij nuk bëri ndonjë deklaratë politike, por fokusohej vetëm në futboll. Futbolli është mbi të gjitha - ky ishte vizioni i tij".

Fatkeqësisht, e njejta nuk po ndodh nga pasardhësi i tij në pozitën e kryetarit të FFK-së, z.Agim Ademi.

Menjëherë pas ndeshjes kundër Bullgarisë në Sofje më 10 qershor 2019, sapo djemtë tanë kishin arritur një fitore historike, në zhveshtore u fut z. Kadri Veseli, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. z. Ademi vërehet tek i bashkohet grupit të lojtarëve që brohorasin emrin e z. Veseli, me shumë pasion. Edhe pse te shumë prej nesh kjo ngjalli një ndjenjë jo të mirë, atëherë u vlerësua si rast i izoluar. Për më tepër, z. Veseli në atë kohë ishte Kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke e mundësuar megjithatë një lloj arsyetimi të këtij rasti.

Por, ndodhitë e fundit të shtatorit 2019 vetëm se e konfirmuan përfshirjen politike të z. Ademi dhe tentimin për politizim të FFK-së dhe ekipit përfaqësues të Kosovës.

Vetëm një ditë para ndeshjes kundër Republikës Çeke, z. Veselit përsëri i’u mundësua qasje e plotë me ekipin përfaqësues. Z. Ademi, në cilësinë e Kryetarit të FFK-së, mbajti një fjalim për kontributin e z. Veseli dhe rolin e tij në suksesin e futbollit kosovar dhe ekipit përfaqësues, ndërsa njëri nga lojtarët i’a dorëzoi z. Veseli një dhuratë. Për më tepër, z. Veseli i’u vunë në dispozicion lojtarët e ekipit përfaqësues, me qëllim të realizimit të një video promovuese, zyrtarisht në përkrahje të ekipit përfaqësues por me z. Veseli në qendër, vetëm disa javë para zgjedhjeve. Burimet brenda FFK-së dëshmojnë që i gjithë ky angazhim lojtarëve i’u mori mbi 2 orë nga koha e tyre. E gjitha kjo para ndeshjes vendimtare për kualifikimin në EURO 2020. Për më tepër, tashmë në një periudhë kur pas shpërbërjes së Kuvendit z. Veseli nuk kishte më asnjë funksion zyrtar, përveç se si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës edhe zyrtarisht ishte njëri nga shumë kandidatët për një post politik në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Neni 1, paragrafi 2 i Statutit të FFK-së thotë që “FFK-ja eshtë neutrale në çështjet e politikës“. Gjithashtu, Neni 6 i Kodeksit për mirësjelljen e anëtarëve të FFK-së, thotë që “Anëtarët e organizatave të futbollit obligohen të kenë kujdes rreth autoritetit dhe sjelljes së tyre në jetën publike dhe private, dhe për autoritetin e organizatës së futbollit, anëtarë të së cilës janë si dhe për autoritetin e FFK-së.”

Me sjelljet e tij në rastet e lartpërmendura, z. Ademi ka prishur neutralitetin e FFK-së në çështjet e politikës, ka rrezikuar suksesin sportiv të ekipit përfaqësues për nevoja individuale të një pale të jashtme dhe ka cënuar autoritetin e FFK-së.

Këto raste vetëm se i shtohen dëmtimit të autoritetit të FFK-së nga z. Ademi për shkak të problemeve paraprake të tij me ligjin, pasi që më 5 korrik 2019 ishte dënuar me 9 muaj burg efektiv, për veprën penale të detyrimit në tentativë.

Për këtë arsye, ne të poshtëshënuarit vlerësojmë se z. Ademi ka humbur legjitimitetin formal dhe moral për ta udhëhequr Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kërkojmë që:

  1. z. Agim Ademi të jap dorëheqje të menjëhershme nga pozita e Kryetarit të FFK-së;
  2. Kuvendi i FFK-së dhe organet tjera përgjegjëse ta marrin në përgjegjësi dhe ta shkarkojnë z. Agim Ademi, për shkeljet statutore, të Kodeksit dhe cënimin e autoritetit të FFK-së;
  3. Kuvendi i FFK-së dhe të gjitha organet dhe përfaqësuesit e FFK-së të angazhohen aktivisht dhe përkushtohen që raste të tilla të mos përsëriten asnjëherë në të ardhmen, pavarësisht bindjeve politike individuale dhe zhvillimeve ditore politike në Kosovë.

Duke qenë të vetdijshëm që z. Agim Ademi nuk është e gjithë FFK-ja e aq më pak i gjithë ekipi përfaqësues, ne do të vazhdojmë ta përkrahim ekipin përfaqësues të Kosovës edhe më tej. Përkrahja nuk duhet të kufizohet vetëm në tribuna të stadiumit. Reagimi ndaj kujtdo që e rrezikon suksesin e ekipit përfaqësues të Kosovës dhe simbolin unifikues që e mbartë kjo përfaqësuese është obligim i cilitdo që e do suksesin e Kosovës. Fatkeqësisht, kësaj radhe rreziku vjen nga vet kreu i FFK-së, ndërsa dorëheqja e tij vetëm se do t’i kontribuonte vazhdimit të ëndrrës së kualifikimit për në EURO 2020, dhe përtej.

Forca Kosovë!