Arsyetimi seksist i vendimit të Gjykatës së Gjilanit

Prishtinë – “Betimi për Drejtësi” ka publikuar hulumtimin “Seksizmi në vendimin e Gjykatës së Gjilanit”.
Pa komentuar meritat e këtij rasti, hulumtimi tregon se gjuha me të cilën ishte arsyetuar ky aktgjykim, ishte gjuhë paragjykuese, seksiste dhe ofenduese për të dëmtuarën.
“Në pjesën përmbajtjesore Gjykata mbrojtjes së të akuzuarve jau ka falur besimin e plotë, sepse nuk është vërtetuar me asnjë provë të besueshme dhe të plotë se të akuzuarit kanë përdorur dhunë apo kërcënim serioz ndaj të dëmtuarës në fjalë, me rastin e kryerjes së aktit seksual, sepse e dëmtuara si femër e moshës 19 vjeçe në kohën kur ka ndodhur ngjarja lëndore me dëshirën e saj ka pranuar fillimisht që ditën kritike të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, edhe pse e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore… Duke pasur parasysh këtë sjellje të të dëmtuarës që me lehtësi ka pranuar të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, jep me kuptu logjikisht se e njëjta vërtetë ka pasur konflikt me familjen e saj për shkak të bredhjes së saj dhe shoqërimit me meshkuj… Të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se kjo e dëmtuar ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale, duke përfshirë edhe të akuzuarin e parë i cili ka qenë me moshë më i shtyrë se e dëmtuara… Vërtetë e dëmtuara me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral, ka shfrytëzuar rastin që të kalojë një kohë duke shuar edhe epshin seksual me të akuzuarit në fjalë”, thuhet në këtë aktgjykim.