Dalja nga kriza

Dalja nga kriza

0 have signed. Let’s get to 500!
At 500 signatures, this petition is more likely to be featured in recommendations!
arben malaj started this petition to Prof.Dr. Adrian Civici and

                                                       Apel publik

Drejtuar:

    Partive Politike dhe Politikanëve,

    Universiteteve dhe mjediseve akademike e shkencore,

    Institucioneve publike dhe Shoqërisë Civile,

 

 

“Për ndërgjegjësimin, marrjen e masave dhe parandalimin e një krize të rëndë politike, ekonomike e sociale që  kërcënon të sotmen dhe të ardhmen tonë”.

Të ndërgjegjshëm për rreziqet në rritje të një krize të rëndë politiko-institucionale, besimi te demokracia dhe ekonomia funksionale e tregut, ku pasojat mund të jenë të rënda dhe afat-gjata për ekonominë dhe financat e vendit, me përgjegjësinë intelektuale e profesionale ndaj vendit dhe në detyrim mirënjohës ndaj popullit tonë, ju drejtojmë këtë apel publik.

Bazuar në  analizat profesionale të treguesve thelbësorë të ekonomisë dhe financave publike të vendit, të paralajmërimeve publike dhe të përsëritura të  institucioneve financiare ndërkombëtare, vlerësojmë dhe apelojmë se  është kritike të arrihet sa më parë një marrëveshje politike, për të ndalur përkeqësimin, dhe marrjen  e masave për një zhvillim ekonomiko-social efikas e të qëndrueshëm.

Ekonomia shqiptare  ndikohet gjerësisht nga besimi dhe pritshmëria që individët, bizneset, të rinjtë,  konsumatorët, investitorët e huaj dhe vendas kanë dhe krijojnë për të ardhmen e vendit.

 

Kriza mund të vazhdojë të:

  •  nxisë dhe përshpejtojë braktisje masive të vendit, nga të rinjtë, dhe nga shtresa e grupe të tjera sociale e profesionale;
  • përkeqësojë deficitin demografik duke na shtyrë drejt pakësimit dhe plakjes së popullsisë,
  • varfërojë dhe përkeqësojë cilësitë e kapitalit human dhe social në vend,
  • ndikojë negativisht dhe drejtpërdrejtë sektorin e turizmit,
  • krijojë mungesë të fuqisë punëtore dhe ekspertizës së kualifikuar,
  • dobësojë besimin tek institucionet në vend,
  • përkeqësojë  de-stabilitetin dhe deficitin e skemave të pensioneve,
  • ngadalësojë investimet e huaja,
  • nxisë e stimulojë  uljen e konsumit dhe të investimeve,
  • rrisë deficitin buxhetor dhe borxhin publik
  • rrezikojë stabilitetin e financave  publike, të cilat mund ta përshpejtojnë, e bëjnë më të rëndë dhe më të gjatë peshën e krizës.

Përvoja kombëtare dhe ndërkombëtare na dëshmon se krizat reduktojnë mundësitë që politikat ekonomiko-financiare dhe zhvillimit të përcjellin në kohë reale  efektet e ndërhyrjeve dhe reformave strukturore në ekonomi, ndërhyrje që rezultojnë konjukturore dhe me efekte afat-shkurtra, që mund të zbusin por nuk i shërojnë rrënjët e krizave tona, të cilat kërcënojnë të rikthehen më të ashpra dhe me kosto të rënda.

Një ekonomi me tendenca ngadalësimi  që priret të shkojë drejt krizës, redukton të ardhurat dhe aktorët ekonomikë që kontribuojnë në to, kërkon rritje të vazhdueshme të presioneve fiskale dhe fondeve buxhetore, pasi numri individëve dhe familjeve që kërkojnë ndihmë dhe asistencë sociale fillon dhe rritet, duke rritur  borxhet individuale, borxhet e bizneseve, dhe borxhin publik të vendit.

Strategjia më e mirë dhe përgjegjësia më e madhe jo vetëm e politikanëve dhe institucioneve qendrore të vendit, por sidomos e të rinjve, akademikëve dhe  shoqërisë civile është të angazhohen, të përkushtohen dhe të imponojnë  në mënyrë demokratike arritjen e një marrëveshje politike që parandalon thellimin e krizës politike, ekonomike e sociale që po afrohet përditë dhe më shumë.

Kur krizat nuk parandalohen në kohë, efektet e tyre  rriten me shpejtësinë dhe madhësinë e ortekut, shkatërrojnë çfarë gjejnë përpara dhe prodhojnë efekte shumë negative për shoqërinë. Ky është realiteti i hidhur që vjen  nga historia 2-3 shekullore e krizave, por që është i freskët  edhe nga kriza financiare globale e vitit 2008, ku papunësia mesatare arriti mbi 25% dhe papunësia për të rinjtë mbi 50%, përfshirë këtu dhe të rinjtë e mirë arsimuar.

Historia e krizës së fundit dhe  prekja rëndë e shumë vendeve evropiane e rajoneve të tjera të botës prej saj,  na mëson se, nëse nuk ti bëjmë reformat e thella politike, reformat ekonomike sociale dhe buxhetore (duke marrë në konsideratë dhe kostot e tyre fillestare të hidhura),në kohën e duhur, me vizionin dhe qartësinë e  duhur, me përkushtimin e duhur dhe vazhdojmë të fshehim problemet tona, do të ushqejmë populizmin dhe euforinë boshe, por pa dyshim një ditë, sado vonë qoftë ajo, taksapaguesit, pensionistet, përfituesit e mbështetjes sociale, njerëzit e varfër dhe shtresat me vulnerabël të shoqërisë tonë  do paguajnë rëndë kostot jo vetëm buxhetore të  dështimeve. Greqia dhe Italia, dy vende fqinjë dhe partnere kryesore në ekonomi, janë shembuj konkrete nga të cilët duhet të mësojmë për kostot e rënda dhe të gjata  të dështimeve për shkak të mungesës së reformave strukturore e thelbësore afat-gjata.

Kthimi i vendit,  apo dhe i ekonomisë globale në treguesit  e rritjes së lartë ekonomike dhe borxheve të ulëta  të  para krizës globale, kërkon disa vite, vite ku masat shtrënguese qoftë edhe përkohësisht, i bëjnë të varfrit edhe më të varfër.

Paketat fiskale për të ulur borxhin publik në nivele të pranueshme e optimale që ai të jetë i shëndetshëm për të ushqyer një rritje ekonomike më të lartë, të qëndrueshme e cilësore, nëpërmjet investimeve inteligjente në ekonomi, sidomos në ekonominë e dijes, ekonominë e gjelbër, ekonominë e energjisë, inovacioneve dhe teknologjive modern, kërkojnë politika e këndvështrime të reja bashkëkohore për politikat fiskale, klimën e biznesit, pagat, pensionet, asistencën sociale dhe investimet publike.

Rikthimi i stabilitetit të financave publike nëpërmjet paketave shtrënguese, mund të arrihet 30% nga rritja e  taksave dhe 70% nga shkurtimi i shpenzimeve, çka e ngarkon  barrën e krizave  tek taksapaguesit e vegjël dhe të mesëm dhe tek  shtresat më të varfra të shoqërisë.

Vlerësojmë se, edhe pse në aspektin ndër-partiak arritja e një marrëveshje për reforma të thella strukturore  për ndërtimin e një demokracie dhe ekonomie funksionale, për një konsensus të domosdoshëm në linjat kryesore të zhvillimit strategjik afat-gjatë të vendit, që fillon nga ndarja, balanca dhe kontrolli i pushteteve, që bazohet në reduktimin e deficitit demokratik,  që garanton një shtet ligjor sa më funksional dhe efektiv, politikanët tanë duhet të ndjehen më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar për parandalimin e një krize të rëndë shumë dimensionale si krizë e besimit, krizë ekonomike, sociale dhe buxhetore.

Mbetemi me shpresë se opioni publik i vendit do të jetë një katalizator i dobishëm për domosdoshmërinë e parandalimit të kësaj krize që gjithnjë e më shumë na afrohet.

Mbetemi me shpresë se politikanët e të gjitha partive politike nën peshën e pasojave të kostove të rënda që mund të burojnë nga kjo krizë,  duhet të nxitojnë të gjejnë  zgjidhjen më të mirë që shqiptarët  meritojnë.

Në rast të kundërt, edhe kur ka rotacione politike por nuk ka reforma të thella politike dhe reforma të thella strukturore në ekonomi dhe financat publike, taksapaguesit, dhe në radhë të parë të rinjtë, pensionistët dhe grupet sociale e profesionale më vulnerabël do të goditen rëndë nga kriza.

Krizat e përsëritura shpesh në tranzicionin tonë të vështirë do të vazhdojnë t’i varfërojnë më shumë të gjithë shqiptarët,, të varfërojnë shpirtërisht se vritet shpresa për të ardhmen, ju rritet barra e kostove të dështime të qeverive të ndryshme, ju kufizohet barazia e mundësive për një jetë e vend më të mirë.

Nuk mund të ketë kurrë një vend të pasur e të zhvilluar me një popull të varfër, e kundërta provohet në historitë e suksesshme të shumë vendeve.

IPPMPrandaj duhet të parandalojmë në kohë krizën, të krijojmë shpresë, të krijojmë energji pozitive, të sfidojmë varfërinë dhe mos-zhvillimin, të pasurojmë shpirtërisht dhe ekonomikisht  njerëzit e mrekullueshëm të vendit tonë. Ky është misioni i lidershipit jo vetëm politik të një kombi, kjo duhet të jetë ëndrra dhe ambicia jonë e përditshme.

 

0 have signed. Let’s get to 500!
At 500 signatures, this petition is more likely to be featured in recommendations!