Na ktheni Kushtetutën! Ndryshoni nenin 177! Hapni listat!

Na ktheni Kushtetutën! Ndryshoni nenin 177! Hapni listat!

0 have signed. Let’s get to 1,000!
At 1,000 signatures, this petition is more likely to be featured in recommendations!
Kastriot Çipi started this petition to Kuvendi and

Më 22 nëntor 1998 u miratua me referendum popullor Kushtetuta, e cila hapet me fjalët “Ne Populli”. Por Neni 177 i Kushtetutës sanksionon se ndryshimet e saj bëhen vetëm përmes votimit me 2/3 e votave të deputetëve. Ne Populli, nuk pyetemi më dhe nuk kemi të drejtë të miratojmë ose refuzojmë me votë, në referendum, atë që kanë vendosur deputetët.

Në vitet 2007, 2008, 2016 dhe 2020, Kushtetuta është ndryshuar thellësisht, sa nuk mund të quhet më Kushtetuta e 1998-s, ajo që miratuam “Ne, Populli”, me referendum. Deputetët vendosën të fuqizojnë rolin e Kryeministrit, duke dobësuar rolin e Presidentit. Deputetët vendosën ta bëjnë sistemin zgjedhor proporcional rajonal me lista të mbyllura, duke diskriminuar haptazi partitë e vogla dhe ato të reja dhe, nga ana tjetër, duke fuqizuar kryetarët e partive, në dëm të demokracisë së brendshme të partive dhe llogaridhënies së deputetëve ndaj zgjedhësve. Pasoja të këtyre ndryshimeve janë degradimi i demokracisë së brishtë shqiptare, në një regjim hibrid, që i ngjan gjithnjë e më tepër totalitarizmit, ulja e nivelit intelektual dhe inkriminimi i Kuvendit, polarizimi social, grabitja e pasurive kombëtare, krijimi i një grushti oligarkësh, që kontrollon gjithçka dhe shpopullimi me përmasa biblike i vendit, si pasojë e emigracionit frenetik, por edhe rënies së lindshmërisë.

Nën alibinë e rreme të reformimit të sistemit të drejtësisë, në vitin 2016 u miratua me 140 vota deputetësh e ashtuquajtura “reformë në drejtësi”, e cila shpartalloi tërësisht gjykatat dhe prokuroritë. Edhe sot e kësaj dite nuk e kemi plotësisht funksionale Gjykatën Kushtetuese, mungon totalisht Gjykata e Lartë dhe rrezikojnë të bllokohen edhe gjykatat e apelit. Prokuroritë me në krye SPAK flenë mbi dosjet e bujshme të korrupsionit dhe manipulimeve zgjedhore, sepse nuk guxojnë të hetojnë ministra e deputetë.

Qytetarët janë zhveshur nga çdo e drejtë, me përjashtim të votës për kryeministrin (jo qeverinë) dhe kryebashkiakun (jo bashkinë). Gjithçka tjetër e vendos politika, në emër të popullit. Edhe pse ndryshimi i Kushtetutës më 30 korrik 2020 i hapi rrugën votimit me lista të hapura, deputetët miratuan në tetor Kodin e ri Zgjedhor, neni 163 i të cilit praktikisht i mbyll listat, duke “shfuqizuar” Kushtetutën. Partitë “Lëvizja Demokratike” dhe “Bindja Demokratike” e kanë paditur këtë nen si antikushtetues, në Gjykatën Kushtetuese.

Për sa më lart, ne, qytetarët, pjesë të “Ne, Popullit”, u kërkojmë:

Të gjitha partive, t’i bashkohen padive në Gjykatën Kushtetuese, për të kërkuar shfuqizimin si antikushtetues të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, duke na lejuar të votojmë me lista të hapura më 25 prill.

Deputetëve të Kuvendit të ndryshojnë nenin 177 të Kushtetutës, duke sanksionuar të drejtën e ndryshimeve në Kushtetutë VETËM përmes referendumit popullor.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë konstitucionalistëve, politikanëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile të përfshihen pa paragjykim dhe pa diskriminim në një proces diskutimi publik për hartimin sa më parë të një Kushtetute të re, e cila duhet të miratohet me referendum popullor dhe të sanksionojë:

1. Referendumet për çfarëdo çështjeje me nisma qytetare dhe referendume të detyrueshme për çdo Kod dhe traktat ndërkombëtar.

2. Kufizimin e afateve të vlefshmërisë së akteve të miratuara nga Qeveria dhe Kuvendi me kohëzgjatjen e mandateve të tyre.

3. Drejtimin kolegjial të institucioneve publike dhe zgjedhjen e drejtuesve të tyre me votë nga qytetarët

4. Sistemin zgjedhor të përzier, me votim preferencial në maxhoritar dhe kompensim proporcional, pa marzh artificial.

5. Miratimin e hartës së re administrativo-territoriale, përmes referendumeve vendore dhe pavarësinë e plotë të pushtetit vendor, nga ai qendror.

6. Ndalimin e konçesioneve dhe PPP-ve.

7. Sanksionimin e akteve të tradhëtisë kombëtare.

8. Sanksionimin e përgjegjësisë personale të zyrtarit publik dhe dëmshpërblimin për dëmin që ai i shkakton shtetit.

9. Detyrimin e çdo qeverie të ardhshme për të ulur borxhin publik me jo më pak se 1% në vit.

10. Sanksionimi i përgjegjësisë penale dhe administrative të gjyqtarit dhe prokurorit për veprime në kundërshtim me ligjin.

Vota jonë më 25 prill do të varet nga qëndrimi juaj ndaj këtij peticioni!

0 have signed. Let’s get to 1,000!
At 1,000 signatures, this petition is more likely to be featured in recommendations!