Kërkesë për dhënie shpjegimi rreth pyetjes mbi formën e marrëdhënies seksuale tek fëmijët

0 have signed. Let’s get to 1,000!


Re: Kërkesë për dhënie shpjegimi rreth pyetjes mbi formën e marrëdhënies seksuale (vaginale, orale, apo anale) në studimin për sjelljen shëndetësore tek fëmijët e moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç

Drejtuar: Znj. Lindita Nikolla, Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Për dijeni: Znj. Albana Vokshi, Kryetare e Komisionit të Kuvendit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik 

Ditët e fundit, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ka organizuar një pyetësor mbi sjelljet shëndetësore tek fëmijët e moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç, i cili është pjesë e studimit të Organizatës Botërore të Shëndetit “Health Behaviour in School-aged Children” (HBSC) që kryhet çdo katër vjet, në të njëjtën kohë, në Europë dhe Amerikën e Veriut. Ky studim përqëndrohet në marrëdhëniet sociale të fëmijëve dhe aspekte të ndryshme të shëndetit të tyre, për të përftuar të dhëna të vlefshme mbi shëndetin dhe stilin e jetesës së fëmijëve shqiptarë.

Studimi i kryer nga MASR-ja tërhoqi vëmendjen e mediave sepse, në një nga pyetjet që u drejtohej fëmijëve 15-vjeçarë në lidhje me seksin, atyre u kërkohej të prononcoheshin nëse kishin kryer seks vaginal, oral, apo anal. Kjo pyetje u konsiderua nga prindërit e papërshtatshme për fëmijët, tronditëse për psikën dhe anën e tyre emocionale, duke qenë se shumica e fëmijëve të kësaj moshe jenë ende të paekspozuar ndaj marrëdhënieve seksuale dhe formave që ato mund të marrin. Sipas Raportit të dalë nga Studimi HBSC për vitin 2013/2014, pjesë e të cilit ka qenë edhe Shqipëria, nga sondazhi me fëmijët 15-vjeçarë shqiptarë, vetëm 2% e vajzave dhe 39% e djemve kishin kryer marrëdhënie seksuale në momentin e plotësimit të pyetësorit.

Në përgjigje të këtij shqetësimi, në një prononcim të datës 25.05.2018, MASR-ja është shprehur se “pyetjet e pyetësorit janë hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë më të njohur të fushës akademike, të cilët janë specialistët më të mirë për fushat që mbulon studimi. Çdo ndryshim, sado i vogël, që një vend mund të bëjë në pyetësor, e përjashton atë nga studimi ndërkombëtar”.

Me këtë prononcim, MASR-ja lë të kuptohet se pyetjet rreth llojeve të marrëdhënies seksuale janë pjesë e pyetësorit të HBSC, që Ministria nuk ka patur zgjedhje që t’i heqë nga pyetësori që u është dhënë nxënësve shqiptarë, sepse në të kundërt Shqipëria do të përjashtohej nga studimi ndërkombëtar.

Në vijim të këtij prononcimi, pyetjet tona janë si më poshtë:

  • A është pyetja rreth formës së marrëdhënies seksuale (vaginale, orale apo anale) pjesë e pyetjeve të pyetësorit HBSC?
  • A i është kërkuar MASR-së, apo institucionit qeveritar shqiptar pjesë e studimit ndërkombëtar, që të raportojë për studimin HBSC rreth formës së marrëdhënies seksuale (vaginale, orale apo anale) të fëmijëve shqiptarë?

Në Studimin HBSC për vitin 2013/2014, fëmijët 15-vjeçarë janë pyetur nëse kanë patur marrëdhënie seksuale. Fëmijët gjithashtu janë pyetur nëse ata, apo partneret e tyre, kishin përdorur prezervativë, apo pilula kundër shtatzanisë, herën e fundit që kishin kryer marrëdhënie. Në Raportin e vitit 2013/2014 nuk përmendet që fëmijët të jenë pyetur nëse marrëdhënia e tyre seksuale ishte e formës anale, vaginale apo orale. Prandaj, ne kërkojmë të dimë nëse:
• Pyetja rreth formës së marrëdhënies seksuale (vaginale, orale apo anale) u është shtruar fëmijëve shqiptarë me iniciativën e MASR-së, apo është një pyetje e detyrueshme dhe standarte e pyetësorit HBSC të këtij viti?

Nëse MASR-ja nuk provon që pyetja e bërë fëmijëve shqiptarë rreth formës së marrëdhënies seksuale (vaginale, orale apo anale) të jetë pjesë e detyrueshme e pyetësorit HSBC, por është në të vërtetë një pyetje e shtruar me iniciativën e funksionarëve të MASR-së që janë marrë me hartimin e pyetësorit, ne kërkojmë:

  • Marrjen e masave për pezullimin e menjëhershëm të zhvillimit të pyetësorit 
  • Marrjen e masave administrative ndaj çdo zyre përgjegjëse pranë MASR-së që ka qenë e angazhuar në përgatitjen dhe administrimin e pyetësorit
  • Marrjen e masave për çdo shkelje të konstatuar deri tani në procesin në fjalë, ne tejkalimin e zhvillimit të pyetësorit sic kemi pretenduar dhe kemi kërkuar transparencë më sipër, në tejkalimin e qëllimeve dhe direktivave nga të cilat frymëzohet një pyetësor i tillë, dhe sigurisht në tejkalimin e pyetjeve konkrete të drejtuara
  • Riformulimin e pyetësorit duke hequr detyrimisht pyetjet që kërkojnë informacion mbi formën e marrëdhënies seksuale (vaginale, orale apo anale)
  • Transparencë dhe përgjigje për situatën e krijuar
  • Marrjen e masave që pyetësorë të tillë të konsultohen paraprakisht me këshillet prindërore në çdo shkollë
  • Njoftimin e prindërve për shkollat në të cilat zhvillohet pyetësori, për synimet, qëllimet dhe arsyet e çdo aspekti të pyetësorrëve të tashëm apo të ardhshëm
  • Marrjen e masave përkatese që situata të tilla, sigurisht ‘eksperimentale’ dhe në gjykimin tonë të dëmshme, që ngrenë jo pa shkak pikëpyetje dhe pikëçuditese, në shkollat dhe në kurriz të fëmijëve tanë, të mos përsëriten më.

Një thirrje modeste shkon për çdo prind, të gjithëve ne, larg çdo përkatësie të çdo lloji:

Duhet që të marrim në dorë domosdoshmërisht të drejtën që na takon mbi edukimin e përgjithshëm të fëmijëve tanë. Sigurisht arsimimin dhe edukimin nga pikëpamja shkollore ia kemi deleguar shkollës dhe organeve kompetente, por kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga prania jonë e vazhduar, nga insistimi i vazhduar me mjetet e duhura ligjore, nga kërkesa e vazhduar e llogarisë, nga interesimi i pandërprerë, nga organizimi qytetar sa i takon çështjes madhore të rritjes së fëmijëve tanë, sa i takon çdo aspekti të jetës së tyre, veçanërisht aspekteve të cilat ua kemi deleguar organeve përkatëse, por jo verbërisht. Të këmbëngulim në gjithëpërfshirje e bashkëpunim, dhe në njohjen absolute të rolit dhe kompetencave tona prindërore!

Angazhimi Musliman për të Drejtën (AMD)
Watchdog Organization



Today: Angazhimi Musliman për të Drejtën (AMD) is counting on you

Angazhimi Musliman për të Drejtën (AMD) needs your help with “Kërkesë për dhënie shpjegimi rreth pyetjes mbi formën e marrëdhënies seksuale (vaginale, orale, apo anale) në studimin për sjelljen shëndetësore tek fëmijët e moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç”. Join Angazhimi Musliman për të Drejtën (AMD) and 719 supporters today.