Investigim dhe marrje e masave ndaj qëndrimeve diskriminuese islamofobe kundrejt agjërimit

0 have signed. Let’s get to 2,500!


Ditët e para të muajit të Ramazanit në Shqipëri janë shoqëruar me shfaqje publike të islamofobisë në shkolla dhe media. Këto shfaqje, në dukje sporadike, të shkëputura dhe “të pafajshme” në përmbajtjen e tyre, të zhvilluara në një hark kohor tepër të ngushtë, disa ditor, të fillimit të muajit Ramazan të këtij viti, janë konsumuar haptazi në shkelje të normave ligjore, shoqërore dhe morale, duke u mbështetur në dukje mbi fakte të pabaza dhe të pakonfirmuara.

Të vetëdijshëm se këto shfaqje diskriminuese, siç do të denoncohen më poshtë, nëse do të konsumoheshin nën një këndvështrim tjetër, sikur të merrte përsipër një mësuese, psikologe, mjeke, ose një emision televiziv çfarëdo, që në një ligjërim publik t’u drejtohej fëmijëve apo kujtdo të rrituri, se të qenurit homoseksual e të tjerë, është e dëmshme, e rrezikshme, jo e dobishme apo e pavërtetë, do të tundeshin themelet e institucioneve shtetërore apo organizatave jo-qeveritare dhe më gjerë, për të “kryqëzuar” personin përgjegjës, ndërkohë që ‘çuditërisht’ këto etiketime kalojnë me lehtësi dhe kryhen pa asnjë përgjegjësi, përgjegjshmëri, kufizim apo vetë-kufizim ligjor, kundër besimtarëve myslimanë dhe fëmijëve të tyre;

duke qenë se bashkëjetesa dhe harmonia ndërqytetare në vend, liritë dhe të drejtat reciproke ndaj besimtarëve të feve të ndryshme janë norma të gjithë-pranuara shoqërore dhe të detyrueshme ligjore, mirënjohës ndaj Zotit dhe bashkë-kombësve tanë besimtarë të feve të tjera apo jobesimtarë për respektin ndër vite përgjatë shenjtërisë së muajit Ramazan dhe ritit të agjërimit;

duke qenë të vetëdijshëm për brishtësinë e kësaj harmonie, e cila mund të cenohet nga akte të papërgjegjshme të individëve që përfaqësojnë vetveten dhe që tejkalojne funksionet që iu janë besuar me ligj, ne, një grup besimtarësh myslimane, parashtrojmë si më poshtë vijon:

Në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, më datë 16.05.2018 mësuesja e fizkulturës kritikoi një nxënëse të klasës së 7 përse ajo agjëronte në ditë shkolle, pasi kjo ia vështirësonte pjesëmarrjen aktive në lojën e volejbollit. Në të njëjtën shkollë dhe në të njëjtën ditë, mësuesja Etleva Meço, pasi mori informacion nga nxënësit e klasës nëse anëtarë të familjeve të tyre agjëronin ose jo, i “këshilloi” ata që të mos agjëronin muajin e shenjtë. Sipas saj, kjo “porosi”, e konsultuar me mjeken e shkollës, ishte një udhëzim i drejtpërdrejtë i drejtorisë së shkollës.

Këto veprime, akte verbale nga ana e mësueseve, bëhen veçanërisht të rënda pasi janë bërë pa u vënë në dijeni prindërit përkatës, pa u konsumuar aspak “shqetësimi në fjalë” paraprakisht me prindërit e nxënësve, siç është e detyrueshme, e nevojshme, dhe e vetmja formë pedagogjike e zbatuar në traditën më të mirë të shkollës shqiptare e më gjerë, por duke u konfrontuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nxënësi me mësuesin dhe autoritetin që mësuesi imponon.

Ndërkohë, më datë 22.05.2018 në emisionin e Rudina Magjistarit në televizionin kombëtar Klan, mjekja e Spitalit Amerikan Areti Pojani shprehte shqetësimin për shtimin e rasteve të pacientëve agjërues që paraqiten pranë shërbimit të urgjencës së këtij spitali për të kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të “problemeve gastro-intestinale apo diskomfortit që një person ndjen pasi qëndron i paushqyer për një kohë të gjatë”. Shenjat tipike sipas saj ishin “diskomforti abdominal, dhimbje të stomakut, lodhje të përgjithshme trupore… për popullatën normale që nuk vuajnë nga sëmundje kronike”. Sipas saj, kishte “pasur raste në urgjencë të cilët paraqiteshin herë pas herë, përgjithësisht në ditën e dytë dhe të tretë … që vinin me ndjenjën e thartirës në gojë … një dhimbje të lehtë stomaku, një diskomfort abdominal”. Pyetjes së drejtueses së emisionit se cilat ishin komplikacionet që mund të shkaktonte agjërimi, mjekja iu përgjigj se ato lidheshin me “sëmundjet shoqëruese … rastet kronike … kur pacienti ka bërë ndërhyrje kirurgjikale … dhe sëmundjet siç është epilepsia … migrena … të sëmurët kardiakë që kanë bërë ndërhyrje kirurgjikale… të cilët pasi të konsultohen me mjekun mund të marrin vendimin nëse mund apo jo të mbajnë Ramazan”. Emisioni vijoi me këshillat e mjekes për ushqimet që duhen shmangur nga dieta e agjëruesit dhe për ushqimet e domosdoshme, megjithëse këto rregulla duhet t’i respektojë çdo person që agjëron ose jo. Ndërkohë në sfondin e studios dhe me titra shfaqej logoja: “Spitali Amerikan: Këshilla gjatë agjërimit për ata që vuajnë nga ulçera ose gastriti”.

Rëndesa në këtë rast, është së pari në pyetjen legjitime: A mund të konfirmojë Spitali Amerikan se sa pacientë janë paraqitur pranë shërbimit të tij të urgjencës me patologji apo shenja klinike të shkaktuara nga agjërimi në këto ditë? Sigurisht që një spital, për më tepër njëri nga spitalet më të njohur dhe të pajisur në vend edhe nga pikëpamja logjistike, ka në databazën e të dhënave të tij çdo rast të paraqitur në urgjencë në harkun e këtyre tetë ditëve, raste që mund të verifikohen lehtësisht edhe nga pagesa e faturave për shërbimin përkatës, apo me deshmitë takuese të mjekëve të urgjencës sipas kalendarit të mjekëve. Atëherë, mjekja që ushtron profesionin bazuar në një shkencë statistikore, duhet të bënte me dije: Sa është numri ekzakt i këtyre pacientëve?

Tashmë, është Spitali Amerikan që duhet të bëjë me dije një fakt të tillë, frekuencën rasteve klinike, emrat përkatës të pacientëve agjërues, dhe provat që ata nuk vuajnë nga asnjë sëmundje tjetër kronike, siç ka pretenduar në ligjërimin e saj mjekja në fjalë “raste në urgjencë për individë jo të sëmurë”. Në të kundërt, intervista e saj, është një sajesë dhe gënjeshtër dashakeqe, individuale, e mbështetur nga një frymë gazetareske jo kompetente dhe ndoshta e qëllimtë, pasi në rastin më të pakët, në kuadër të rregullave minimale të gazetarisë, në studio duhej të ishte ftuar edhe një mjek që konfirmon dobitë mjekësore-shkencore të agjërimit. Kjo, në frymën e së vërtetës së cilën e aspirojnë ta zbulojnë e nxjerrin në pah të gjithë gazetarët profesionistë. Ndërsa në frymën e njerëzores dhe kombëtares, siç është edhe titulli që mban televizioni në fjalë, ideuesja dhe drejtuesja e emisionit mund dhe duhet të kishte gjetur një minutë kohë televizive, në të cilën përveç “shqetësimit” të saj për agjëruesit, të uronte bashkëkombësit myslimanë me rastin e fillimit te muajit të shenjtë.

Mbetet e paqartë, se përse u përzgjodh një mjeke pa njohuritë minimale mbi rregullat e agjërimit nga aspekti fetar dhe hapësirat e pafundme të fesë islame për çdo kategori të sëmurësh ose jo, sidomos në kuadër të një bashkëpunimi të vazhduar të këtij spitali me emisionin në fjalë, përse nuk u kërkuan dhe ofruan mjekë muslimanë të Spitalit Amerikan, për të informuar audiencën e televizionit kombëtar Klan mbi ‘rreziqet e agjërimit’, ose të paktën për të balancuar debatin dhe tezat e hedhura nga mjekja Pojani në mënyrë absolute dhe gjithëpërfshirëse.

Meqënëse pesha në dukje e ecurisë së emisionit, mbetet te mjekja dhe argumentet e saj, pa lënë mënjanë përgjegjësinë dhe detyrimin për një gazetari të vërtetë dhe cilësore, vijojmë: A munden mjekët e Spitalit Amerikan të provojnë dëmet mjekësore të agjërimit dhe pamundësinë fizike të njerëzve të shëndetshëm për të agjëruar?

Në fund, përveç analizës së fakteve më sipër, në opinionin tonë, metoda të tilla të shantazhit intelektual duke përdorur pretendime të rreme shkencore dhe mjekësore, për të paraqitur në një dritë të keqe një nga ritet më dukshme dhe të përhapura të fesë islame në Shqipëri, janë një  reminishencë e drejtpërdrejtë e metodave të agjitacion-propagandës komuniste në luftën ndaj ‘prapambetjes dhe zakoneve prapanike’ që u paraprinë aksioneve për prishjen e objekteve të kultit dhe ndalimit me ligj të fesë në vend.

Nisur nga sa më sipër, ne u bëjmë me dije dhe kërkojmë nga institucionet të cilave u drejtohet kjo kërkesë që:

(1)   të investigojnë përmes mekanizmave dhe metodave që sanksionon ligji shqiptar, sjelljet dhe qëndrimet e denoncuara më sipër, në të gjithë aspektet e shkeljeve që ato mbartin, dhe veçanërisht sa i takon frymës islamofobe të shprehur nga punonjës të tyre në institucione dhe komunikimin publik;

(2)   Spitali Amerikan veçanërisht dhe çdo organizëm i përfshirë në këtë denoncim, të bëjnë transparente rast pas rasti, investigimet takuese dhe përfundimet e arritura bazuar në dokumentat përkatës të institucionit, siç kemi pretenduar më sipër;

(3)   në rast të verifikimit të tejkalimit, nëpërkëmbjes së titujve të nderuar të mësuesit, mjekut, gazetarit, por jo vetëm, të kompetencave institucionale apo në rast të mosvërtetimit të pretendimeve (urgjencave në fjalë e të tjera), bazuar në aspektin primar që dallon fushën e mjekësisë e cila mbështet pretendimet e saj në statistika ekzakte dhe jo fjalë boshe apo interpretime personale, organizmat e lartpërmendura të marrin masat e duhura bazuar në legjislacionin përkatës në vend për këdo nga punonjësit e tyre që është përfshirë në këto forma diskriminimi ndaj besimtarëve myslimanë dhe ritit të agjërimit;

(4)   të mbajnë qëndrim publik duke u distancuar nga qëndrimet dhe sjelljet individuale të punonjësve të tyre, duke dënuar publikisht këto shfaqje të papërgjegjshme të islamofobisë, diskriminimit dhe dezinformimit të konsumuar nga punonjësit e tyre që kanë folur në emër dhe duke përfaqësuar institucionin në të cilin punojnë, si dhe duke informuar opinionin publik mbi pavërtetësinë dhe paligjshmërinë e këtyre shfaqjeve.

Gjithashtu, i kërkojmë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe organeve të tij drejtuese, si një institucion me bazë Kushtetutën e vendit dhe posedues i të gjithë mekanizmave ligjore të nevojshme, që të ushtrojë të drejtat e tij të sanksionuara në Kushtetutë, në funksion të detyrës madhore që ka, për t’i garantuar besimtarëve që përfaqëson mbrojtjen nga diskriminimi, shfaqjen publike dhe praktimin e qetë të ritualeve të fesë, larg ngacmimeve islamofobe në çdo formë që gjejnë shprehje ato.

Një apel i veçantë shkon për çdo lexues pa dallim feje, të mbështesë shqetësimin tonë, në masën e tij, sado e vogël apo e pazëshme në dukje, për të qenë bashkë në ato të drejta që kemi fituar jo pa mund e sakrifica tonat por veçanërisht të martirëve tanë të fesë e lirisë, të vetëdijshëm që e keqja nuk është asnjëherë larg apo e pamundur, por gjen dhe do te gjejë strehë kurdoherë, në indiferencën dhe heshtjen kolektive apo individuale.

Angazhimi Mysliman për të Drejtën (AMD)

Watchdog Organization

 



Today: Vehap is counting on you

Vehap Kola needs your help with “Investigimin dhe marrjen e masave ndaj sjelljeve e qëndrimeve diskriminuese islamofobe”. Join Vehap and 2,050 supporters today.